Mënyrat për të marrë një leje pune Për t'u punësuar në Gjermani, në shumicën e rasteve, do t'ju duhet miratimi i Agjencisë Federale të Punësimit.
Kur aplikoni për një leje qëndrimi që ju lejon të punësoheni, misioni diplomatik gjerman jashtë vendit ose autoriteti i migracionit/zyra për të huajt e verifikon faktin nëse punësimi kërkon miratim ose nuk kërkon miratim paraprak. Nëse bëhet fjalë për punësim që kërkon miratim, këto autoritete do të përfshijnë Agjencinë Federale të Punësimit në një procedurë të brendshme.
Ju jeni një specialist me formim akademik:
Nëse ju keni një diplomë universitare dhe ju është ofruar një kontratë pune nga një punëdhënës në Gjermani për një pozicion që korrespondon me diplomën tuaj, ju mund të aplikoni për të ashtuquajturën "Blue Card të BE-së". Në këtë rast fillimisht duhet të verifikohet nëse diploma universitare është e krahasueshme me atë të një universiteti gjerman. Kërkohen të ardhura vjetore bruto prej të paktën 45.300 €. Kjo shumë vlen për vitin 2024. Shumat ndryshojnë çdo vit.
Nëse keni një diplomë universitare në një profesion që aktualisht është i kërkuar në Gjermani (menaxherë në fusha të ndryshme, p.sh. në komunikim dhe teknologji informacioni, kujdesi për fëmijët, shëndetësi ose arsim, miniera, ndërtim ose logjistikë, mjekë, veterinerë, dentistë, farmacistë, specialistë në arkitekturë, planifikim hapësinor dhe trafik, specialistë në matematikë, shkenca kompjuterike, shkenca natyrore dhe teknologji, punëtorët profesionistë akademikë dhe të ngjashëm të infermierisë dhe infermieri-mamisë, si dhe mësues dhe edukatorë në sektorët shkollorë dhe jashtëshkollor) dhe ju ofrohet një kontratë pune, ju mund të aplikoni për “Blue Card të BE-së” edhe me pagë vjetore bruto prej 41.041,80 €. Kjo shumë vlen për vitin 2024. Shumat ndryshojnë çdo vit.
Mbajtësit e një Blue Card të BE-së mund të marrin një leje qëndrimi të përhershme - d.m.th. qëndrim të përhershëm - pas vetëm 27 muajsh ose, nëse mund të dëshmojnë njohuri të mjaftueshme të gjermanishtes, pas 21 muajsh.
Blue Card e BE-së mund të lëshohet vetëm në rastet kur oferta e punës është për nivel akademik, të cilën diploma juaj universitare ju kualifikon për ta kryer. Duhet të jetë një punësim adekuat për studimet tuaja.
Edhe nëse nuk i plotësoni kërkesat për një Blue Card të BE-së, ju mund të aplikoni përsëri për një leje qëndrimi për punësim.
Ju jeni një specialist me përgatitje profesionale:
Nëse keni një kualifikim profesional dhe një ofertë konkrete pune, mund të merrni një vizë punësimi nëse Agjencia Federale e Punësimit e konstaton se kushtet e punësimit të ofertës së punës korrespondojnë me ato të punonjësve vendas në Gjermani.
Përveç kësaj, kur aplikoni për leje qëndrimi, duhet të verifikohet edhe nëse kualifikimi profesional ekzistues është i krahasueshëm me kualifikimin profesional gjerman përkatës. Informacioni për këtë procedurë mund të gjendet në gjermanisht dhe anglisht në faqen e internetit www.anerkennung-in-deutschland.de.
Nëse zyra për njohjen e diplomave konstaton se kërkohen kualifikime shtesë që kualifikimi të jetë ekuivalent, punësimi në nivel asistenti/ndihmësi mund të lejohet në kushte të caktuara paralelisht me procedurën.
Ju keni përvojë profesionale:
Me njohuri të gjera praktike profesionale, ju mund të merrni një leje qëndrimi edhe nëse nuk keni një kualifikim profesional të njohur ose të barasvlershëm në Gjermani. Mjafton nëse kualifikimi juaj profesional (formim profesional që zgjat të paktën dy vjet ose diplomë universitare) të njihet në vendin ku është fituar. Nuk duhet të ketë një lidhje profesionale midis kualifikimit të fituar dhe veprimtarisë së dëshiruar. Megjithatë, ju nevojitet një përvojë profesionale përkatëse prej të paktën dy vitesh në pesë vitet e fundit dhe kjo përvojë profesionale ju mundëson të kryeni veprimtarinë e dëshiruar në Gjermani. Qendra për Vlerësimin e Kualifikimeve të Huaja (ZAB)
konfirmon në formën e një certifikate dixhitale se kualifikimi i fituar profesional ose diploma universitare njihet në vendin ku është marrë.
Kërkohen të ardhura vjetore bruto prej së paku 40.770 €. Kjo shumë vlen për vitin 2024. Shumat ndryshojnë çdo vit.
Si specialist i IT, ju mund të filloni të punoni në Gjermani edhe pa një kualifikim profesional. Ju madje mund të aplikoni për një Blue Card të BE-së nëse arrini kufirin e kërkuar të pagës prej të paktën 41.041,80 € dhe keni tre vjet përvojë profesionale brenda shtatë viteve të fundit. Përvoja juaj profesionale duhet të korrespondojë me atë të një specialisti të IT. Nëse keni më pak se tre vjet përvojë profesionale, por të paktën dy vjet përvojë profesionale në pesë vitet e fundit, mund të merrni edhe një leje qëndrimi për të punuar si specialist i IT pa diplomë. Kërkohen të ardhura vjetore bruto prej të paktën 40.770 €. Kjo shumë vlen edhe për vitin 2024.
Shënim:
Pyetje? Ia vlen t'i hidhni një sy portalit të mirëseardhjes www.make-it-ingermany.com/en/. Këtu, specialistët dhe punëtorët e kualifikuar ndërkombëtarë mund të gjejnë informacion për mundësitë e tyre të karrierës në Gjermani - dhe pse ia vlen të jetosh dhe të punosh këtu.